“Trump po punon për ekstradimin e Gulen”

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2018, 17:06 | Bota
“Trump po punon për ekstradimin e Gulen”

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka thënë homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, se Uashingtoni po punon për ekstradimin e klerikut Fetullah Gulen i cili jeton në azil në Shtetet e Bashkuara. Turqia e konsideron Gulen përgjegjës për grushtin e shtetit të dështuar në vitin 2016.

Lajmin e konfirmoi ministri i Jashtëm turk. “Në Argjentinë, Trump i tha Erdoganit se po punonte për të ekstraduar Gulenin dhe njerëz të tjerë”, tha Mevlut Cavusoglu, duke iu referuar samitit të G20, të zhvilluar dy javë më parë.

Turqia kërkon prej kohësh ekstradimin e klerikut i cili jeton prej më shumë se dy dekadash në Shtetet e Bashkuara. Dikur aleat i Erdogan, ai fajësohet nga autoritetet turke për grushtin e shtetit, edhe pse mohon gjithçka. Që prej asaj dite Erdogan ka bërë thirrje për dorëzimin e “gulenistëve” edhe në Shqipëri e Kosovë.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan tha se nuk po e mendonte ekstradimin e Gulen për të ulur tensionet në Turqi pas vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Stamboll. Ndërsa Erdogan njoftoi javën e kaluar se do të merrte nisma të tjera së shpejti për të shënjestruar financimet e mbështetësve të Gulen.

“Kam parë së fundmi një dosje të përpiluar nga FBI ku dokumentohet se si organizata e Gulen shmang taksat”, tha Cavusoglu në një konferencë në Doha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos