Tensionet për targat: S’ka ujdi mes palëve, bisedimet në Bruksel vijojnë edhe sot

Nga A2 CNN
30 Shtator 2021, 10:21 | Kosova
Tensionet për targat: S’ka ujdi mes palëve, bisedimet në

Takimet në Bruksel për zgjidhjen e konfliktit për targat në veri të Kosovës, përfunduan pa një marrëveshje. Pas bisedimeve të zhvilluara me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, por edhe të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, kreu i delegacionit të Kosovës, z. Besnik Bislimi njoftoi se ishin pranë dakordësisë për një draft-marrëveshje, e cila ndër të tjera parashikonte tërheqjen e njësive speciale dhe barrikadave që nga e shtuna dhe vendosjen e trupave të KFOR në pikat kufitare. Megjithatë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, por edhe ambasada amerikane në Kosovë, sqaruan menjëherë më vonë se bisedimet po vazhdonin dhe se nuk ishte arritur ende një marrëveshje.

Pala serbe, e cila ka vijuar bisedimet me zyrtarët e BE deri në orët e vona të së mërkurës, nuk dha asnjë deklaratë pas përfundimit të takimeve, por u bë e qartë se nuk e mbështeste draft-marrëveshjen. Burime të BE-së thanë se bisedimet do të vazhdojnë të enjten, edhe pse shefi i delegacionit të Kosovës, u largua nga Brukseli gjatë mbrëmjes.

Sipas burimeve, Bislimi mund të marrë pjesë në bisedime përmes lidhjeve video. Sipas asaj që u bë e ditur të mërkurën në Bruksel, teksti i draft-marrëveshjes me të cilën është pajtuar pala e Kosovës, parashikon që në një fazë kalimtare prej gjashtë muajsh targat e automjeteve të mos hiqen dhe ndërrohen, por vetëm të mbulohen me një letër ngjitëse. Një grup pune do të krijohej, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare mosmarrëveshjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos