Tentohet të futet drogë me dron në burgun e Shënkollit

Nga A2 CNN
7 Korrik 2019, 12:29 | Kronikë

Policia ka parandaluar një tentativë për të futur drogë dhe telefona celularë në burgun e Shënkollit, duke vënë në pranga 3 persona.

Bëhet e ditur se 3 persona tentuan të fusin një pako në burg duke përdorur një dron.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës. “Në rrethimin e jashtëm të burgut të Shënkollit, punonjësit e Policisë së burgut që kryenin shërbim kanë konstatuar se po fluturonte një dron duke hyrë në zonën e ndaluar dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës. Në drejtim të burgut janë nisur forcat e FNSH të Shkodrës  të cilat ishin me shërbim në Lezhë si dhe shërbimet e policisë së Lezhës së bashku me grupin hetimor.

Falë reagimit dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur bllokimi i dronit në rrethin e dytë të jashtëm të burgut, ku gjatë këqyrjes në trup të dronit u gjetën të lidhura në një qese plasmasi 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë.

Gjithashtu po në vijim të veprimeve  tek pjesa e pasme e burgut në një distancë 1 km, Policia e Lezhës dhe FNSH ka konstatuar dhe  bllokuar  një automjet ku brenda të cilit ndodheshin tre persona.

Gjatë kontrollit  në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi telekomandën e dronit që u sekuestrua brenda rrethimit të dytë të jashtëm të burgut, çanta ku futet droni, si dhe tre aparate të tjerë celularë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personat e arrestuar janë shtetasit M.V., 28 vjeç, banues në fshatin Vrake, Malësi e Madhe, i dënuar më parë për vjedhje, Xh. K.,  25 vjeç, banues në Shkodër, si dhe Xh.L., 28  vjeç,  banues në Bajze, Malësi e  Madhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos