“Tentuan të bllokojnë vaksinat”, Rama: Meta dhe Berisha kanë gjetur kryeministrin e gabuar për të sfiduar

Nga A2 CNN
8 Prill 2021, 11:33 | Politikë
“Tentuan të bllokojnë vaksinat”, Rama: Meta dhe Berisha

Kryeministri Edi Rama akuzoi nga Dropulli edhe njëherë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta se fshihen pas grevës së kontrollorëve të trafikut ajror që mban ende të paralizuar punën në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Sipas kreut të qeverisë, Meta dhe Berisha tentuan të bllokonin procesin e vaksinimit në vend që shumë njerëz të mos merrnin dozën e dytë të vaksinës dhe të niste një revoltë dëshpërimi. Ai shtoi se Meta dhe Berisha kanë gjetur kryeministrin e gabuar për të sfiduar.

“U bllokua aeroporti, ardhja e vaksinave dhe e gjithë nata ka qenë pa gjumë për të luftuar që ta mbanim sasinë e vaksinave që priste për të ardhur se menjëherë mund të shkonte në një vend tjetër. Luftë për të mbajtur sasinë atje për të ardhur në Shqipëri dhe të mos shkonte në vend tjetër dhe pastaj do të humbnim 1 javë, 10 ditë duke pritur ribërjen gati të porosisë. 1 javë, 10 ditë pa vaksina sepse Meta dhe Berisha janë aty mbrapa derës gati për t’u futur në shtëpinë e secilit dhe për ta bërë rrumpallë. Një sulm çmendurak i organizuar për të rikthyer kaosin dhe fantazmën e rrëmujës duke marrë peng aeroportin, duke ndaluar mijëra shqiptarë që donin të udhëtonin dje, duke ndaluar dhe të vdekurit që të vinin të varroseshin këtu, duke ndaluar dhe të sëmurët, lëvizjen e parave.

Menduan se ne do të kapeshim gafil dhe se kontrollorët janë një strukturë e posaçme që nuk zëvendësohen dhe duan shumë kohë. Zgjodhën këtë moment që deri më 25 prill të mos vaksinohej askush dhe të shpërthente një revoltë dëshpërimi. A e kuptoni se sa pak e ndan këtë vend nga rikthimi pas për sa kohë janë këta njerëz që nuk lënë dy gurë bashkë për të marrë peng shtetin, drejtësinë, si një mallkim që vazhdon. Kanë gjetur qeverinë dhe kryeministrin e gabuar për të bërë këto sfida”, tha kryeministri Rama nga Dropulli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos