
“Një gabim i madh.” Është ky mendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për tërheqjen e Rusisë nga traktati për armët bërthamore, “New Start”.
Përballë rritjes së tensioneve mes perëndimit dhe Moskës, dhe këtyre lëvizjeve që përkeqësojnë sigurinë në botë, kreu i Shtëpisë së Bardhë mblodhi në Varshavë të Polonisë, liderët e shteteve lindore të NATO-s.
Zotimi i Biden për atë që njihet si 9-shja e Bukureshtit, ishte se aleanca veri-atlantike do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
“Si krahu lindor i NATO-s, ju jeni në vijën e parë të mbrojtjes sonë kolektive. Dhe ju e dini më mirë se kushdo se çfarë është në rrezik në këtë konflikt, jo vetëm për Ukrainën, por për lirinë e demokracive në të gjithë Europën dhe në mbarë botën,” u shpreh Biden.
9-shja e Bukureshtit, që përfshin Bullgarinë, Republikën Ceke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë, kërkuan më shumë trupa të NATO-s në territoret e tyre.
Presidenti amerikan në Varshavë takoi dhe homologen Moldave Maia Sandu, e cila javën e kaluar denoncoi se Rusia po komplotonte rrëzimin e qeverisë se saj përmes mercenarëve të huaj nga Serbia e Mali i Zi.
Me këtë, Biden përmbylli vizitën disa ditore në Poloni dhe Ukrainë. Në anën tjetër në Moskë, Putini mbajti një koncert madhështor në mbështetje të luftës së tij në Ukrainë.
"Aktualisht kemi një betejë në kufijtë tanë historikë, për popullin tonë. Ushtarët tanë po luftojnë heroikisht dhe me guxim. Jemi krenar për ta,” deklaroi Putin.
Të pranishëm në atë stadium ishin 82 mijë persona. Shumë prej tyre thanë se e konsiderojnë Putinin si një baba të dytë. (A2 Televizion)