
I ftuar në A2, Ndriçim Mehmeti, ekspert për çështjet e arsimit, pranë PD, komentoi provimet e maturës dhe daljen e tezës së matematikës. Ai shprehet se është për të ardhur keq që ky provim i maturës shtetërore sa vjen dhe shkon në degjenerim të plotë, ndërsa shton se sistemi është shkatërruar.
“Testi i matematikës doli me një shpejtësi të habitshme, kundër premtimeve se do të kishte kontrolle të rrepta, por nuk rezultoi kështu, edhe pse nuk ishin më shumë se 10 maturantë në klasë. Kjo është një sëmundje që po na shoqëron. Është për të ardhur keq që ky provim i maturës shtetërore sa vjen dhe shkon në degjenerim të plotë, nga mënyra e administrimit. Gjithë ajo punë që bëhet për t’u mbajtur sekret shkon dhe bëhet shkrumb dhe hi nga ata që janë administrator dhe nga maturantët. Shumica tani mendon se këto provime janë sa për të kaluar radhën dhe si të tilla duhen hequr fare se nuk kanë asnjë kuptim. Dalja e testit bën që të ketë një pabarazi të plotë. Kjo tregon se merita ka marrë fund dhe kjo tregon qartësisht se sistemi është shkatërruar tërësisht”, u shpreh Mehmeti.
Për Mehmetin, Ministria e Arsimit nuk mund të heqë përgjegjësitë. “Ministria u kujdes të bënte presion te mësuesit, të cilëve u shkoi një mesazh që nuk do të futen as në godinë me celular. Ka një kontroll të shumëfishtë, i cili ka dështuar”, u shpreh Mehmeti. (A2 Televizion)