
Për të dytën ditë radhazi, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merret në pyetje nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar. Kreu i Shtetit nuk bëri asnjë prononcim para se të hynte në objektin e Prokurorisë Speciale, aty ku të hënën u mor në pyetje për rreth 6 orë.
Në një deklaratë për mediat një ditë më herët, Thaçi tha se ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe se ka pasur interesim të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri publike aktakuzën për krime lufte dhe kundër njerëzimit ndaj Presidentit të Kosovës, kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe 9 personave të tjerë.
Përpara se të merrej në pyetje ditën e hënë, Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”. (A2 Televizion)