“Vende me rrezik të lartë”, Italia mbyll kufijtë me Kosovën, Serbinë e Malin e Zi

Nga A2 CNN
16 Korrik 2020, 16:24 | Kosova
“Vende me rrezik të lartë”, Italia mbyll kufijtë me

Italia përfshin Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë në listën e vendeve me rrezik nga koronavirusi, duke mbyllur kufijtë me të trija këto vende.

Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, njofton përmes një postimi në rrjetin social Twitter se të gjithë ata që kanë qenë në këto shtete përgjatë 2 javëve të fundit do t’u ndalohet hyrja apo kalimi tranzit në Itali. “Në botë, epidemia ka hyrë në fazën më të vështirë. Duhet kujdes maksimal për të mbrojtur progreset e shënuara deri më tani”, pohon Speranza.

Masa parashikon ndalimin e fluturimeve, trenëve dhe të të gjitha mjeteve të tjera të transportit për lidhjet, nga dhe për në Kosovë, Serbi e Mal të Zi. Më herët, në listën e vendeve me rrezik ishte përfshirë edhe Maqedonia e Veriut dhe Bosnja.

Këtë javë, edhe Austria njoftoi ndalimin e fluturimeve, për dhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Rajoni ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të infektimeve gjatë javëve të fundit. Sipas të dhënave të përditësuara, Kosova kryeson listën sa i përket infekimeve të reja në dy javët e fundit në Europë, me 124 raste për 100 mijë banorë.

Më pas, renditet Mali i Zi me 123 raste, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut dhe Suedia. Shqipëria renditet e dhjeta me 39 raste për 100 mijë banorë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos