
Serbia vazhdon të përçajë qeverinë e Kosovës. Krerët e shtetit kanë qëndrime gjithnjë e më të kundërta sa i përket taksës dhe marrëveshjes me Beorgadin.
Në një letër dërguar disa liderëve botërorë, kryeministri Ramush Haradinaj e bën të qartë se cenimi i territorit të Kosovës në dialog me Serbinë është i papranueshëm. Por presidenti Hashim Thaçi, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë për arritjen e kompromiseve të nevojshme me Serbinë në një letër dërguar presidentit amerikan Donald Trump.
“Prandaj, më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar me Serbinë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Thaçit.
Për kryetarin e këshillit kombëtar të nismës, Jakup Krasniqi, Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese në ofrimin e kompromisit.
“Ofrimi i kompromisit paraprakisht nuk është e drejtë kushtetuese, përkundrazi është shkelje e rendë e kushtetutës, pasi është thirrje për cenimin e territorit dhe të sovranitetit të shtetit”, tha Jakup Krasniqi.
Të martën, Kryeministri Ramush Haradinaj përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij kundër kërkesës së kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për pezullimin 120 ditor të taksës ndaj importeve serbe.
Mediat vendase flasin për skenarin e zgjedhjeve të parakohshme. Koha ditore citon Haradinajn të thotë se edhe nëse qeveria rrëzohet taksa mbetet në fuqi deri në qershor. (A2 Televizion)