“T’i japim fund izolimit”, Xhaçka: Ballkani i Hapur, rruga e duhur që duhet të ndjekë rajoni

Nga A2 CNN
8 Tetor 2021, 17:43 | Politikë
“T’i japim fund izolimit”, Xhaçka: Ballkani i Hapur,

“Potenciali që paraqet Ballkani i Hapur është një nga avantazhet më të mëdha që rajoni mund të ofrojë”. Kështu u shpreh ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në edicionin e 7-të të “Tirana Connectivity Forum”, nga ku apeloi për t’i dhënë fund izolimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“T’i japim fund izolimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Pezullimi i procesit të integrimit, shkak problematikat e brendshme të BE. Është e nevojshme një qasje e duhur strategjike nga BE për rajonin. Presim veprime konkrete nga BE, Shqipëria meriton mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Nisma “Ballkani i Hapur”, rruga e duhur që duhet të ndjekë rajoni. Kjo nismë, mënyra e vetme për të treguar me vepra vendosmërisë tonë për të ecur në rrugën e integrimit”.

Sipas saj, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor kanë shërbyer përherë si një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit, e cila kur ka funksionuar si e tillë rajoni ka njohur zhvillim.

“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor si një i tërë duan që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Në Shqipëri në fakt, mbështetja për integrimin evropian është në nivele që sot janë të paimagjinueshme për çdo vend anëtar. Dhe sigurisht që jemi duke punuar fort, për të bërë gjithçka për të ngushtuar hendekun e zhvillimit, modernizimit, sundimit të ligjit që na ndan nga BE. Është bërë vërtet shumë punë dhe shumë progres, të cilat janë njohur sot edhe nga ato që ishin dikur shtetet më skeptike kundrejt arritjeve të Shqipërisë e Ballkanit Perëndimor. Pra, ajo që ka ndryshuar, nuk është dëshira dhe përkushtimi jonë ndaj ëndrrës evropiane. Ajo që ka ndryshuar është që ne kemi kuptuar që nuk mund të presim më vetëm nga BE dhe që paradigma që ka përkufizuar raportin tonë me BE duhet të ndryshojë”.

Ministrja Xhaçka nënvizoi korridorin VIII, si një nga idetë më interesante në drejtimin e ndërlidhjes. Ideja e korridoreve, sipas saj duhet rikonceptuar, si korridore integrimi ekonomik e kulturor, sinergjie e shkëmbimesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos