TikTok-u tragjik, "vetëvrasja" e 10-vjeçarit kambanë alarmi

Nga A2 CNN
7 Maj 2021, 15:17 | Kronikë
TikTok-u tragjik, "vetëvrasja" e 10-vjeçarit kambanë

Në bankën ku duhej të ishte ulur 10-vjeçari i klasës së katërt në shkollën “At Gjon Karma” në Gurin e Zi në Shkodër, ishte vendosur një buqetë me lule nga shokët dhe shoqet e klasës.

Ngjarja e rëndë që ka tronditur mbarë opinionin ka ndodhur dy ditë më parë në banesën e 10-vjeçarit. Dyshimet janë se i mituri ka humbur jetën aksidentalisht në tentativë për të imituar një skenë vetëvrasje për ta postuar në aplikacionin TikTok. Ndonëse në kufijtë e të pabesueshmes fakti është së 10-vjeçari ka humbur jetën.

Mësuesja shprehet se nxënësi ishte shembull për të tjerë dhe gëzonte respektin edhe të stafit pedagogjik. Ndërsa punonjësja sociale e shkollës shprehet se i mituri nuk kishte shfaqur asnjë shenjë që mund të kryente një akt të tillë, ndërsa apelon që prindërit të jenë më pranë fëmijëve në këtë periudhë kur mësimi online ka detyruar fëmijët të jenë më pranë pajisjeve elektronike dhe rrjeteve sociale.

Edhe banorët e zonës të tronditur nga ngjarja kërkojnë që të mbyllen këto aplikacione që tundojnë të miturit. Policia ende nuk ka dalë me një version zyrtar, mbi shkaqet dhe dinamikën e vdekjes së 10-vjeçarit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos