
Raportimet për ndërhyrje në sistemin TIMS dhe dyshimet për grabitjen e të dhënave të Policisë së Shtetit shqetësuan edhe SHBA, e cila nëpërmjet selisë diplomatike në Tiranë kërkoi nga autoritete shqiptare që të hetohet sa më shpejt kjo çështje. Por kryeministri Rama, i pyetur nga gazetarët, u shpreh i habitur nga ky shqetësim i partnerëve amerikanë, ndonëse edhe vetë agjencia për mbikëqyrjen policore ka bërë një kallëzim në prokurori lidhur me rastin.
“S’ka vjedhje të të dhënave në TIMS! S’e kuptoj pse ka reaguar i dërguari me punë i SHBA-së”, tha Rama.
Hetimet e SPAK për koncesionin e sterilizimit si një aferë korruptive, nuk penguan Kryeministrin Rama të shprehë krenarinë e tij, pavarësisht problemeve të evidentuara nga drejtësia në lidhjen e kontratës.
“Një nga punët më të bukura që kemi bërë! Kush shkel ligjin, do ta paguajë”.
Problemet me drejtësinë të zyrtarëve e thjeshtë, kryebashkiakëve, deputetëve, ministrave apo zv/kryeministrave të majtë nuk e kanë cenuar pushtetin e kryeministrit. Ujin e zi – siç e quan vetë ai - ja ka lënë në dorë Prokurorisë dhe Gjykatës ta pastrojë, por A2CNN e pyeti nëse ndjen përgjegjësi morale, kur tashmë shumë prej bashkëpunëtorëve të përzgjedhur prej tij, kanë përfunduar pas hekurave, janë në kërkim, apo po hetohen për korrupsion.
“Përgjegjësia ime morale është karshi shqiptarëve për t’iu dhënë atyre një drejtësi që bën ekzakt këtë punë dhe në raport me këtë, deri tani, ndjehem shumë mirë”.
Burgosja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Alfred Beleri, mungesa e një ftesë nga ana e homologut grek vetëm pak ditë më parë kanë rikthyer gjuhën e tensionuar mes Tiranës dhe Athinës. Por Rama thotë se nuk impresionohet dhe tregohet i kujdesshëm kur flet për marrëdhënien diplomatike mes fqinjin jugor.
“Nuk impresionohem nga momente te caktuara”.
Edi Rama nuk është gati të heqë dorë nga pushtetit për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, duke e cilësuar këtë tezë si një thashethem vere. Risi në këtë fillim vjeshte do të ketë, por vetëm brenda së majtës, pasi Kryeministri paralajmëroi ndryshime në qeveri në mbledhjen e radhës të Asamblesë së PS. (A2 Televizion)