
Ndeshja Tirana-Erzeni spostohet në “Elbasan Arena”. Është ky ndryshimi i fundit në agjendën e Kategorisë Superiore. Federata Shqiptare e Futbollit, së bashku me mirëkuptimin edhe të dy klubeve, ka vendosur që ky duel të mos zhvillohet në “Selman Stërmasi”, por në impiantin e tigrave në Elbasan.
Arsyet e këtij vendimi ende nuk bëhen të ditura, mirëpo siç raportohet, fusha në Elbasan është gati dhe në gjendje të mirë për të mirëpritur dy skuadrat e Superiores.
Erzeni duket se ka humbur busullën pasi ka tri ndeshje që nuk fiton dhe një humbje tjetër me bardheblutë do të zhyste në krizë skuadrën e Xhevahir Kapllanit.
Nga ana tjetër, bardheblutë kërkojnë vetëm fitore nëse duan të rrisin presionin për vendin e parë. Aktualisht, kryeqyetasit janë vetëm një pikë larg Partizanit të vendit të parë dhe çdo gjë është e mundur për ta mbyllur fazën e parë krye të tabelës.
Takimi Tirana-Erzeni do të luhet të shtunën në orën 17:45. Java e nëntë e Kategorisë Superiore fillon që këtë të premte me dy ndeshjet e para. Partizani udhëton në Durrës përballë Teutës, ndërsa Vllaznia pret Bylisin në “Loro Boriçi”. Të shtunën janë programuar 3 ndeshjet e mbetura, Kukësi-Egnatia, Kastrioti-Laçi dhe java mbyllet me Tirana-Erzeni. (A2 Televizion)