Tirana feston me tifozët titullin e 26 në histori

Nga A2 CNN
27 Maj 2022, 13:57 | Aktualitet
Tirana feston me tifozët titullin e 26 në histori

Tirana është zyrtarsisht kampione e Shqipërisë për sezonin 2021-2022. Pas një sezoni të dominuar nga fillimi deri në fund në çdo aspekt, bardheblutë ngritën lart, këtë të enjte, trofeun numër 26 në histori.

Edhe pse humbën 3-2 në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, kjo nuk e pengoi aspak festën bardheblu. Tekniku Orges Shehi kishte bërë ndryshime në formacion, duke i dhënë mundësi dhe djemve të rinj për të luajtur, ndërsa verilindorët luftonin për objektivin Europë.

Autogoli i Behiratche zhbllokoi shpejt shifrat në pjesën e parë, ndërsa pas tij, Kukësi dyfishoi rezultatin falë një tjetër autogoli, kësaj radhe të gardianit Visar Bekaj. Megjithatë, kryeqyetasit vendosën ekuilibrat me dy gola të shpejtë, fillimisht me Taulant Seferin dhe pas tij Mario Beshiraj.

Në fund, skuadra e Diego Longos triumfoi me një penallti të Edi Bashës.

Një disfatë që nuk pengoi aspak festën në kryeqytet, pasi bardheblutë e kishin siguruar titullin që tri javë më parë, me atë përmbysje ndaj Partizanit. Për këtë arsye, pas vërshëllimës finale të gjyqtarit, tifozët zbritën në fushë për të brohoritur për skuadrën e tyre të zemrës. 

Verdikti i vetëm i mbetur pezull është se cilat janë skuadrat shqiptare që do të marrin pjesë në Conference League. Përveç Partizanit që e siguroi vendin e tretë një javë më parë, mbetet të mësohet ç’do të ndodhë me Kukësin e vendit të katërt. Verilindorët bëjnë tifo për Laçin në finalen e Kupës, pasi në rast të një triumfi të kurbinasve, atëherë ata arrijnë të sigurojnë një biletë në Europë si skuadra e katërt.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos