
Një derbi shume larg pritshmërive. Tirana e basketbollit për meshkuj mposhti Dinamon me rezultatin final 97-81 në palestrën sportive, “Farie Hoti”.
Diferenca mes dy skuadrave u pa qartë në parket pasi në të gjitha periodat skuadra e Erkand Karaj ishte në avantazh. Megjithatë në periodën e tretë, bardheblutë humbën disi terren pasi Dinamo u afrua nga 20 pikë diferencë në 10, çfarë bëri që trajneri Erkand Karaj të kërkonte ndryshim nga skuadra. Më i miri i takimit ishte shtatlarti Hysengolli, protagonist i 24 pikëve, ndërsa pas tij, Brari dhe amerikani Klark. Pas ndeshjes, tekniku bardheblu u shpreh se një dueli të tillë i kishte dhënë rëndësi maksimale. Edhe basketbollisti Eldi Hysa theksoi se Tirana këtë sezon do të luftojë për çdo trofe.
Vllaznia, Tirana dhe Teuta janë 3 ekipet e kualifikuara në gjysmëfinale, ndërsa bileta e fundit do të jepet këtë të hënë te dueli Kamza Basket-Apolonia. (A2 Televizion)