
Hilda Shijaku, ekonomistja e lartë e Bankës Botërore, analizon në një intervistë me Producenten Ekzekutive për Biznesin në A2, Aurora Sulçe, raportin mbi ecurinë e ekonomisë.
“Parashikimi ynë përfshin informacionin e mbledhur deri në muajin shtator dhe sipas këtij informacioni ekonomia shqiptare pritet të ketë një rënie prej 8,4%. Në këtë recesion ndikojnë dy goditje të mëdha dhe të njëpasnjëshme që mori ekonomia: tërmeti dhe pandemia. Individët dhe firmat tkurrën blerjet, duke shkaktuar tkurrje të kërkesës agregate. Si rezultat i rënies së tregtisë me jashtë, edhe eksportet e importet u tkurrën. I vetmi komponent në mbështetje të rritjes ekonomike mbeti komponenti publik, me anë të fondit për rikonstruksionin. Pasiguria që rrethon parashikimin kësaj radhe është shumë e lartë. Do të monitorojmë vazhdimisht situatën dhe të dhënat që kemi marrë së fundi për rritjen ekonomike të tremujorit të dytë si dhe një reagim pozitiv i sektorit të turizmit gjatë verës, mund të sinjalizojnë për një rishikim të rritjes ekonomike pak më pozitiv se ai që kemi tani”, tha Shijaku.
Në lidhje me masat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia, ekonomistja tha: “Masat kanë qenë të menjëhershme dhe kanë ndihmuar në zbutjen e efekteve të pandemisë. Një pjesë e madhe e qytetarëve të Ballkanit do të bien në varfëri, por ky numër do të kishte qenë më i lartë pa masa. Por, pandemia ende vazhdon dhe mbrojtja e shtresave vulnerabël ka të ngjarë që të kërkojë ende vëmendje nga autoritetet, për këtë arsye burimet në dispozicion duhen përdorur me shumë kujdes”. (A2 Televizion)