
Sipërfaqet ende të pandara të tokave në ish-ndërmarrjet bujqësore në fshatra, do iu ndahen ish-punonjësve dhe banorëve që kanë jetuar në ato zona.
Një vendim i Këshillit të Ministrave, botuar në Fletoren Zyrtare detyron ngritjen e një Task-Force e cila duhet të përmbyllë procesin inventarizimit të sipërfaqeve pa pronar brenda një viti.
“Janë pasuri sipërfaqe toke të vogla që mund të jenë 5 dynym me një vend, 3 me një vend e 2 diku tjetër që nga rastësia nuk janë ndarë. Objektivi i Vendimit të Këshillit të Ministrave është që deri në fundin e vitit të ardhshëm të mos ketë asnjë metër tokë bujqësore të pandarë,” shprehet Myrshit Vorpsi, Kreu u Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.
Për Vorpsin, nisma ligjore nuk zgjidh problemin e pronave në vend.
“Përfitues të VKM-së nuk janë pronarët e vjetër shqiptarë. Nuk janë ata pronarë që presin sot e kësaj dite që shteti shqiptar të dali me një vendimmarrje për kërkesën e tyre për 144 mijë ha tokë që ende në sirtarët e institucioneve.”
Në vitin 2018, Qeveria e Shqipërisë ngriti një task-forcë të ngjashme e cila pati për detyrë evidentimin e tokave të pandara në një rreze prej 1.5 kilometrash nga vija bregdetare.
Procesi hasi vështirësi pasi vetë institucionet nuk kanë të dhënat të sakta mbi sipërfaqen dhe vend-ndodhjen s tokave ende të pandara. (A2 Televizion)