Pesë anëtarë të stafit të filmit “Mission Impossible” kanë dhënë dorëheqjen, pasi aktori Tom Cruise i qortoi ashpër për shkak se kishin thyer rregullat antikoronavirus në studiot e Warner Bros, në Hertfordshire të Anglisë.
Një burim tha për “The Sun” se ka pasur shumë tension muajt e fundit në sheshxhirim: “Që kur u bë publik lajmi se Tom Cruise i ka bërtitur stafit, shumë prej tyre janë larguar. Tom është i nxehur për faktin se stafi nuk po e merr seriozisht punën”.
Aktori nuk dëshiron që prodhimi i filmit të shtyhet më tej, pas vonesave që kanë ndodhur deri tani për shkak të pandemisë. “Po krijojmë mijëra vende pune. Nuk dua ta shoh më këtë sjellje! Kurrë! Dhe nëse e përsërisni, jeni të pushuar!”, citohet t’u ketë thënë Cruise pjesëtarëve të stafit.
Seria e 7 e filmave ''Mission Impossible'' raportohet se po xhiron këto ditë në Londër, pasi më parë ka qenë në Venecia. Pikërisht, në qytetin italian, në shkurt, xhirimet u ndalën për shkak të përhapjes së koronavirusit atje. Puna rifilloi në shtator me trupën që është spostuar nga Italia, në Norvegji, e tashmë në Britani. Në tetor, xhirimet u ndalën sërish pasi 12 pjesëtarë të stafit dolën pozitivë në testin e koronavirusit. (A2 Televizion)