
Fabian Topollaj, përfaqësuesi i vetëm i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili nuk votoi pro shembjes së Teatrit Kombëtar, foli mëngjesin e së hënës në Dita Jonë mbi vendimin për shembjen e godinës.
Topollaj foli për procedurën e votimit në Këshillin Bashkiak. “Ka qenë një procedurë e përshpejtuar, me mangësi të theksuara ligjore. Mesa duket ka qenë qëllimi për ta zhvendosur vëmendjen nga prishja e Teatrit, e për ta fokusuar atë te ndërtimi i godinës së re. Pasi ra afera e ndërtimit të kullave në idenë e bërjes së një teatri të ri, i gjithë debati kishte ngelur nëse na nevojitej një godinë e re që i përgjigjej kohës apo do të duhet të ruanim godinën ekzistuese, e cila mbart disa vlera jo të vogla historike. I gjithë ky debat u shmang totalisht nga Veliaj me disa akrobaci banale. Mbledhja ishte caktuar që vota do të dërgohej në datë 15 dhe që në 14 u publikua vendimi”, tha Topollaj.
Më tej, ai u shpreh se Këshilli Bashkiak është në varësi të kryetarit të bashkisë.
“Më besoni që Këshilli Bashkiak i Tiranës, ndoshta, kështu ka qenë në varësi të kryetarit, të paktën anëtarët që përfaqësojnë të njëjtin formacion politik si kryetari. Gjendja është shumë e rëndë kur ky këshill dominohet totalisht nga kryetari, për shkak të atij vendimi, i cili është i panevojshëm nga partitë opozitare që nuk morën pjesë”, tha Topollaj në Dita Jonë. (A2 Televizion)