
Partia Demokratike deklaroi sot se qeveria ka bërë tradhti kombëtare duke thyer sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i referohet një shkrimi në mediat malazeze, sipas të cilit Edi Rama dhe Dritan Abazoviç i lejuan Serbisë që, përmes Portit të Durrësit, të bëjë tregti me Rusinë.
"Edi Rama, avokati dhe vasali i padronit të tij Vuçiç, jo vetëm ka mbrojtur publikisht dhe në çdo takim ndërkombëtar, thyerjen nga Serbia të sanksioneve të BE dhe NATO-s ndaj Rusisë, por sipas medias malazeze, ai vetë ka lejuar thyerjen nga Shqipëria të embargos të vendosur nga Perëndimi kundër Rusisë. Anije me mallra ruse dhe serbe, të denoncuara disa herë nga Partia Demokratike, me destinacion Serbinë dhe Rusinë, kanë përdorur portin e Durrësit, si portën e shqyer të Europës, folenë e korrupsionit dhe trafiqeve ndërkombëtare, duke mbajtur të hapur tubin e oksigjenit për Putinin, makinerine e tij te luftes dhe genocidit ndaj Ukrainës dhe majmur padronin e tij, serbomadhin Vuçiç. Edi Rama dhe tregtarët e tij të sigurisë kombëtare janë të parët dhe të vetmit thyerës të embargos ndërkombëtare kundër Rusisë, per interesa te kesaj te fundit dhe “Rusisë së Vogël” në rajon. Për një vend të NATO-s dhe kandidat të BE, kjo është dyfish e dënueshme dhe dyfish skandaloze. Per kombin shqiptar kjo është nje tradhti e hapur kombetare", tha Noka. (A2 Televizion)