
Policia e Vlorës ka arrestuar një 38-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik lëndësh narkotike dhe organizatë kriminale. Bëhet fjalë për Antonio Xhaferrin nga fshati Bishan i Vlorës, i cili do të ekstradohet drejt Spanjës.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi, i shtetasit:
A. Xh., 38 vjeç, banues në fshatin Bishan, Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle, me vendimin penal të datës 15.01.2021, kanë lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar, për veprat penale "Trafiku i narkotikëve" dhe “Organizate kriminale", parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Spanjës. (A2 Televizion)