
Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkoi një total prej 115 vite burg për 8 nga të arrestuarit e dosjes “Shpirti”, të akuzuar për trafikimin 6 tonëve kanabis nga Shqipëria në Itali.
Sipas SPAK, të pandehurit duhet të fajësohen për kultivim dhe trafik të narkotikëve, vepra të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal. Dënimi më i rëndë, me 20 vite heqje lirie, u kërkua për Ilirjan Duçellarin, i dyshuar si drejtues i grupit kriminal.
Për Kleo Bregun, SPAK kërkoi 18 vite, ndërsa për Aurel Kalarin, Orhan Duçellarin, Julian Bejdollarin e Rexhino Miçajn, u kërkuan nga 15 vite. Në të njëjtën pretencë, SPAK i kërkoi gjykatës të konfiskonte pasuritë e sekuestruara të të dyshuarve, mes të cilave dy apartamente, dy ndërtesa disakatëshe, gati 4500 sipërfaqe truall në Vlorë, si edhe një dyqan e dy shoqëri tregtare.
Operacioni shqiptaro-italian “Shpirti” u finalizua korrikun e vitit 2021, me 38 urdhër-arreste, disa prej të cilave u ekzekutuan në Itali. Grupi kriminal i dyshuar ra në rrjetën e SPAK, pas bashkëpunimit me drejtësinë italiane të katër personave. Referuar deklarimeve të tyre, mes të hetuarve, SPAK listoi edhe prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, dy ish-zyrtarë të lartë të Policisë, Ilirjan Balla e Festim Lelaj, si edhe dy ish-bodigardë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dosja ndaj të cilëve është veçuar. (A2 Televizion)