
“Kemi fituar si italianët kundër italianëve, një gol me dy gjuajtje në portë. Jam shumë i lumtur për këtë fitore, jam krenar për këta djem. Që nga nesër, të gjitha energjitë do të jenë te Portugalia”.
Kështu është shprehur pas triumfit historik ndaj Italisë, trajneri i Maqedonisë së Veriut, Blagoja Milevski, duke gjetur mundësi të bëjë edhe ironi me kombëtaren e kaltër.
Më tej, ai foli edhe për finalen ndaj Portugalisë, ku do të vendoset edhe kombëtarja që do të shkojë në Botërorin e Katarit.
“Dëmtimet nuk janë serioze, të gjithë do të jenë gati për ndeshjen tjetër. Do të jetë edhe Elmas i cili do të na japë një ndihmë të madhe. Jam shumë i lumtur për golin e Trajkovskit. Ndeshja ishte përgatitur në këtë mënyrë. E dinim që Italia është një skuadër e madhe me lojtarë të mëdhenj, por ne kemi bërë një ndeshje të madhe. A e prisnim? Absolutisht po, e njohim forcën tonë. Para ndeshjes u kisha thënë djemve që të argëtoheshin dhe në fakt u argëtuan”, theksoi trajneri i Maqedonisë së Veriut. (A2 Televizion)