
Kur ka mbetur edhe një javë nga rifillimi i transportit publik, shoqatat e këtij shërbimi protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar mbështetje.
“Kërkesa kryesore është heqja e akcizës së naftës, që do të na lehtësonte rikthimin në shërbim. Kërkojmë edhe uljen e TVSH-së nga 20% në 0%. Gjithashtu, duam njohjen si shpenzim i zbritshëm i naftës, nga 43% që është aktualisht në 100%”, tha Eno Sulejmanaj, i Shoqatës së Transportit.
Vetë instancat shtetërore po hartojnë një paketë ndihme. Blendi Gonxhja, kreu i DPSHTRR, tha në Dita jonë: “Po punojmë që para 15 qershorit të ketë një paketë shtesë për të mbështetur operatorët e transportit publik për shpenzimet plus që do të kenë”.
Nuk parashikohet rritje e çmimit të biletave: “Situata ekonomike është e vështirë dhe populli nuk e përballon dot”.
Gjendja e transportit, përgjatë këtyre 3 muajve të pandemisë, ka qenë vërtet shqetësuese.
Në protestë merrnin pjesë punonjës nga të gjitha rrethet. Faturinot kërkojnë rikthimin sa më shpejt në punë.
Marshimi vijoi përreth një orë dhe gjithçka kaloi pa asnjë konfrontim me efektivët e paktë të policisë që ndodheshin aty. Nëse kërkesat nuk do të plotësohen brenda datës 15 qershor, kur do të nisë punën transporti publik, shoqatat paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave. (A2 Televizion)