
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka zhvilluar një takim me Zaida Çobon, nënën e adoleshentit të dhunuar pak ditë më parë nga policia, së cilës i publikoi edhe një video, që u shoqërua me reagime të shumta.
Veliu i ka kërkuar ndjesë publike Çobos, ndërsa lajmi është shpërndarë në faqen zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Facebook.
"Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike.
Dëshiroja që ndjesën time publike t'ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj.
Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes).
Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë”, u shpreh drejtor Veliu pas bisedës. (A2 Televizion)