Tre burra janë arrestuar në lidhje me grabitjen e disa sendeve me vlerë në Hong Kong, mes tyre edhe një shkrim në kaligrafi nga ish-lideri komunist Mao Ce Dun, me vlerë 645 milionë dollarë.
Një pëlhurë e gjatë 2,8 metra, mbi të cilën thuhej se kishte shkruar vetë Mao, ishte ndarë në dy pjesë nga grabitësit sepse mendonin se ishte shumë e gjatë për t’u ekspozuar, tha Policia e Hong Kongut.
Mes veprave të grabitura janë edhe gjashtë pëlhura më të vogla të shkruara në kaligrafi, që gjithashtu mendohet se kanë autor Maon, një koleksion me 10 monedha bronzi dhe 24 mijë pulla të vjetra, tha të mërkurën Tony Ho, Kryeinspektori i Hong Kongut. Të gjitha sendet vlerësoheshin nga pronari me 5 miliardë dollarë Hong Kongu, ose 645 milionë dollarë amerikanë, por autoritetet janë duke punuar për konfirmimin e vlerës së saktë.
Grabitja ndodhi në një apartament në lagjen Yau Ma Tei natën e 10 shtatorit dhe në të ishin përfshirë tre persona, të cilët, sipas Ho, u larguan nga vendi i ngjarjes me taksi. Më 22 shtator Policia arrestoi një person që njihej si shitës i sendeve me vlerë dhe aty gjeti disa prej gjërave të grabitura. Megjithatë, personi në fjalë nuk mendohet se ka lidhje të drejtpërdrejtë më grabitjen dhe që prej asaj dite është liruar me kusht.
Disa ditë më vonë, Policia bastisi një tjetër apartament në të njëjtën lagje dhe arrestoi dy persona, një 44-vjeçar i cili akuzohet si autor i grabitjes dhe një 47-vjeçar, i cili akuzohet se e ka ndihmuar duke i siguruar një vend për t’u fshehur. (A2 Televizion)