
Në kohë të zakonshme, zona e Astirit është një nga lagjet me dendësi më të lartë banorësh në kryeqytet. Rrugët e tij në kohë karantine nuk e tregojnë këtë fakt. Gjatë fashës së lejimit të lëvizjes, kalimtarët nuk mungojnë, por nuk mund të krahasohen me numrin e tyre para pandemisë.
Qytetarët vërehen të mbajnë distancën teksa bëjnë shpenzimet e ditës. Po ashtu, edhe tek i gëzohen diellit pranveror në hapësirat mes pallateve. Të jetuarit në një një nga lagjet më të prekura i shqetëson, por nuk i frikëson.
“Na shqetëson, nuk dalim nga shtëpia. Frikë nuk kemi, respektojmë këshillat dhe mundohemi të shmangim grumbullimet”, thonë banorët.
Panorama nuk ka shumë ndryshim edhe në zonën tjetër më të prekur nga virusi në kryeqytet, atë të Freskut. Grumbullimet mungojnë. Lëvizjet në rrugë janë më së shumti qytetarë të veçuar me trasta në duar.
Por, veç atyre për shpenzime, të tjerë kanë dalë për sport. E ndonjë tjetër për punë fare pranë shtëpisë.
Bulevardi i Ri është zona e tretë me numrin më të lartë të të infektuarve në kryeqytet. Edhe pse në orarin e lejuar të lëvizjes, rruga është krejtësisht bosh.
Çfarë ka lënë mangët ndërgjegjësimi, e plotësojnë kontrollet policore. (A2 Televizion)