
Tregtarë të fruta-perimeve në Korçë kanë protestuar mëngjesin e kësaj të hëne në unazën e qytetit, pasi kundërshtojnë vendimin e bashkisë, e cila nuk ka lejuar të futen në tregun e shumicës fermerët që nuk kanë licencë për të tregtuar me shumicë.
Tregtarët tentuan bllokimin e unazës së qytetit, ndërsa në shenjë proteste hodhën disa prej prodhimeve të tyre në rrugë.
Në lidhje me këtë protestë nënkryetari i Bashkisë së Korçës ka sqaruar aksionin e bashkisë. “Bashkia ka ndërmarrë një aksion për zbatimin dhe standardizimin e ligjit te tregu me shumicë, ku nuk janë lejuar të gjithë ata tregtarë që janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sot kanë ushtruar aktivitet në tregun me shumicë vetëm ata tregtarë që kanë kontratë me tregun dhe kanë NIPT për tregtim me shumicë të produkteve të tyre”, u shpreh Kletjon Kita, nënkryetar i Bashkisë së Korçës.
Ndërkohë, para bashkisë kanë protestuar të tjerë tregtarë të fruta-perimeve, kësaj radhe ata që shesin me pakicë.
“80 mijë në muaj nuk i përballojmë dot. Ne po bëjmë 10 mijë lekë në ditë. Nuk kemi punë”, shprehet një tregtar.
“Qiraja është shumë e lartë. Duhet të ulet me 50% pasi nuk ka punë dhe shumica është shumë afër”, thotë një tregtare.
Në lidhje me shqetësimin e tyre, nënkryetari i bashkisë ka sqaruar se tarifa synonte të mbulonte shpenzimet e shërbimeve që jepen në këtë treg.
“Është një treg me standarde europiane. Është i vetmi në Shqipëri për nga standardet. Ajo tarifë është nuk na e kthen mbrapsht investimin që e kemi bërë, por është një tarifë për mirëmbajtje dhe për shpenzimet e personelit që është në treg”.
Fermerët dhe tregtarët kanë deklaruar se protestat e tyre do të vijojnë. (A2 Televizion)