Tri punonjëse të infektuara, Covid pezullon punën e Gjykatës në Elbasan

Nga A2 CNN
19 Tetor 2020, 13:09 | Aktualitet
Tri punonjëse të infektuara, Covid pezullon punën e Gjykatës

Gjykata e Shkallës së Parë e rrethit gjyqësor të Elbasanit ka pezulluar punën, mëngjesin e kësaj të hëne. Shkak janë bërë rezultatet pozitive me Covid-19 të tri punonjësve të administratës së kësaj gjykate.

Duke qenë se kontaktet e punonjësve që rezultuan pozitive me virusin kanë qenë të shumta, për shkak të detyrës, atëherë me urdhër të Institutit të Shëndetit Publik dhe në zbatim të protokolleve është vendosur pezullimi i shërbimit të kësaj gjykate, pa një afat të përcaktuar.

Në urdhrin e pezullimit specifikohet se gjykata do të ofrojë shërbime vetëm për çështje të karakterit urgjent, siç janë masat e sigurimit personal dhe urdhrat e mbrojtjes.

Ndërkohë, dhjetëra qytetarë janë gjetur të papërgatitur për këtë pezullim të punës. Burime pranë administratës së gjykatës së Elbasanit janë shprehur se rifillimi i punës do të përcaktohet pas rezultateve të tamponëve të personave të kontaktit me punonjëset që rezultuan pozitive me Covid-19.

Sakaq ambientet e kësaj gjykata pritet t’i nënshtrohen edhe dezinfektimit. Prej kohësh qyteti i Elbasanit shënon çdo ditë dhjetëra raste të personave të prekur me virusin e ri.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos