
“Zoti Basha sot veçse pranoi të ekzekutojë, nën presionin e anëtarëve të PD dhe votuesve të saj, vendimin për shkarkimin e tij nga posti i Kryetarit të PD, i ratifikuar ky prej 18 Dhjetorit. Asgjë tjetër, ai që prej asaj date nuk ishte kryetar”. Janë këto fjalët e deputetit Tritan Shehu, si koment për dorëheqjen e liderit të Partisë Demokratike.
Sipas Shehut, “ai kështu po liron një zyrë të mbajtur padrejtësisht me ndihmën e shkopinjve dhe “gazit” të Ramës”, duke shtuar se “ne të gjithë së bashku duhet ta shfrytëzojmë këtë ngjarje, për të çuar në normalitet PD e grupin e saj parlamentar”.
Por deputeti mbështetës i Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha, ka kritikuar deklaratat e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që ndër pikët e paraqitura propozonin edhe tërheqjen e ish- kryeministrit Berisha nga gara për lidership.
“Deklarata që dëgjova pak më parë nuk ndihmon në këtë drejtim, përkundrazi ajo tingëllon si ai “litari” i lënë jashtë “varrit”, që synon të na kthejë në pikën fillestare. Bashkimi i të gjithë neve, tashmë është një realitet që po ndodh. Ky proces do të finalizohet duke qenë së bashku, duke dënuar si staliniste edhe ato “pezullime” e “përjashtime” jo statuore, që për turp vazhdojnë të artikulohen dhe në këtë letër të shpërndarë. Kush merr mbi vete të drejtën për të përjashtuar apo pezulluar kolegët, nuk mund të jetë demokrat dhe as i shërben demokracisë së PD-së”, shkruan Shehu. (A2 Televizion)