Ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale te 14 majit, janë regjistruar incidentet e para kriminale ndaj drejtuesve lokalë të forcave politike. Në orët e mëngjesit të kësaj të marte, një sasi tritoli ka shpërthyer në mjetin e kryetarit të Partisë Demokratike të Vaut te Dejës, Benard Ndreca. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur Ndreca sapo ishte futur në mjetin që e kishte në oborrin e banesës në fshatin Paçram. Fatmirësisht, nga shpërthimi i tritolit që ishte vendosur në pjesën e përparme të autoveturës tip Audi, Ndreca nuk ka marrë dëmtime, ndërsa dëmet materiale të mjetit janë të konsiderueshme.
Kjo ngjarje vjen një ditë pasi anëtarët e PD-së të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj në këshillin bashkiak të Vaut të Dejës kanë shprehur mbështetjen e tyre për kandidatin e propozuar nga grupi i Rithemelimit të PD-së të drejtuar nga Sali Berisha.
Ndërkohë ngjarja për Ndrecën vlerësohet për shkak të postit të tij si kryetar i degës së Vaut të Dejës që mbështet grupin e rithemelimit në PD, pasi ka deklaruar se nuk ka pasur dhe nuk ndonjë konflikt personal me asnjë person. Policia e shkuar në vendngjarje ka nisur hetimet dhe ekspertimin e imtësishëm të automjetit, ndërsa po verifikohen edhe kamerat e sigurisë.
Ende nuk dihet nëse lënda shpërthyese është vendosur në autoveturën e Ndrecës, gjatë orëve të natës, apo mund të jetë vendosur një natë më parë gjatë lëvizjeve të tij, dhe për këtë arsye po verifikohen të gjitha lëvizjet që Benard Ndreca ka kryer me automjetin e tij, para shpërthimit.





(A2 Televizion)