
Më shumë se 100 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare iu bënë thirrje drejtuesve të partisë të denoncojnë refuzimin e Presidentit Donald Trump për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, duke e konsideruar këtë gjë një sulm të rrezikshëm dhe anti-demokratik ndaj institucioneve të SHBA.
Grupi i përbërë nga disa ishte zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare në administratat e Ronald Reagan, George H.W. Bush, George W. Bush dhe Trump, dënon dhe dështimin e shumicës së republikanëve të Kongresit për të reaguar për mosgatishmërinë e Trump për të njohur fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Grupi "Ish-Zyrtarët Republikanë të Sigurisë Kombëtare për Biden", i cili u formua në gusht dhe anëtarët e tij bënë fushatë kundër Trump, ishte veçanërisht kritik ndaj udhëheqësve republikanë të kongresit në një letër të botuar.
"Duke inkurajuar taktikat e vonimit të Presidentit Trump ose duke heshtur, udhëheqësit republikanë vënë në rrezik demokracinë amerikane dhe sigurinë kombëtare", shkruan grupi.
Shumica e republikanëve kanë qëndruar të heshtur ndërsa Trump kundërshton rezultatet e zgjedhjeve me pretendime të pabazuara për mashtrim zgjedhor dhe ekipi i tij ligjor ndjek përpjekje gjithnjë e më të dëshpëruara dhe të pasuksesshme për të përmbysur fitoren e Biden. (A2 Televizion)