
Masat shtrënguese ndaj Huawei, të vendosura nga administrata amerikane, mund të marrin fund. Kjo është bërë e ditur nga presidenti Donald Trump, i cili ngriti mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj gjigandit teknologjik si pjesë e një marrëveshje tregtare të gjerë me Kinën. Megjithatë pranoi se kjo çështje është shumë e ndërlikuar.
“Huawei është diçka shumë e rrezikshme. Shikoni çfarë ka bërë në pikëpamjen e sigurisë dhe ushtrisë, gjëra shumë të rrezikshme. Megjithatë është e mundur që Huawei të përfshihet në njëlloj marrëveshje tregtare”, deklaroi Trump.
Komentet vijnë pas politikës së ashpër të Uashingtonit ndaj gjigandit kinez dhe vetëm disa ditë pasi departamenti amerikan i tregtisë e vendosi atë në listën e zezë të tregtisë, duke bllokuar zhvillimin e biznesit me kompanitë amerikane.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Huawei-n si rrezik për sigurinë kombëtare. Administrata Trump u ka bërë presion aleatëve që të sanksionojnë kompaninë kineze në ndërtimin e rrjetit 5G. Uashingtoni dyshon se përmes pajisjeve, Huawei mund të spiunojë shtetet e tjera. Megjithatë, Huawei i ka mohuar gjithmonë këto akuza. (A2 Televizion)