Presidenti amerikan Donald Trump zgjodhi ish Prokurorin e Përgjithshëm William Barr për të drejtuar edhe një herë Departamentin e Drejtësisë. Ky është një rol që përfshin ndër të tjerat hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje dhe bashkëpunimin e dyshuar mes Moskës dhe ekipit të fushatës së Trump.

Nëse do të konfirmohet nga Senati, Barr do të zëvendësojë Matthew Whitaker, i cili shërben në këtë detyrë që prej shkarkimit të Jeff Sessions një muaj më parë.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se Barr është një jurist i shkëlqyer dhe shumë i respektuar nga Republikanët dhe Demokratët.
68-vjeçari ka shërbyer në administratën e George Herbert Walker Bush si Prokuror i Përgjithshëm nga 1991 deri në vitin 1993.

Ish prezantuesja e Fox, ambasadore e SHBA në OKB
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump pritet të emërojë zëdhënësen e Departamentit të Shtetit Heather Nauert si ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara në OKB. Lajmi bëhet i ditur nga një zyrtar i lartë i administratës dhe një burim i dytë i cituar nga CNN.
Ambasadorja aktuale, Nikki Haley njoftoi në muajin tetor se do të largohej nga posti në fund të vitit.
Zgjedhja e një figure të re, pa shumë eksperiencë në politikën e jashtme, ka befasuar jo pak opinionin publik. Në një intervistë për gazetarin e CNN, senatori Chris Murphy tha se Nauert nuk ishte aspak e kualifikuar për postin e lartë në OKB. (A2 Televizion)