Trump merr "goditjen" e radhës, Gjykata e Apelit hedh poshtë kërkesën e tij për rezultatin në Pensilvani

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2020, 08:44 | Bota
Trump merr "goditjen" e radhës, Gjykata e Apelit hedh poshtë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka marrë goditjen e radhës në luftën e tij ligjore për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, qe nxorrën fitues Joe Biden.

Një Gjykatë federale e Apelit ka refuzuar kërkesën e tij për mosnjohjen e Biden si futes në Pensilvani me argumentin që padia nuk i ka provuar me argumente pretendimet e saj për Pensilvaninë dhe akuzat janë të pabaza.

Paneli me tre gjyqtarë për Gjykatën e Apelit të Rrethit të 3-të të SHBA, gjithashtu mohoi përpjekjen e stafit të Trump për të rindërtuar padinë e tyre, duke thënë se pretendimet ishin hedhur poshtë tashmë nga gjykatës të shumtë në Pensilvani dhe përpjekja e fundit për t'i riformuluar ato nuk mund të kthehej në një teori fituese, pasi nuk kishte prova.

"Pretendimet e stafit nuk kanë asnjë fakt. Numri i fletëve të votimit që ajo konteston në mënyrë specifike është shumë më i vogël se afërsisht 81,000 vota, që është diferenca e fitores. Dhe kurrë nuk pretendohet mashtrim ose se ndonjë votë u dha nga votues të paligjshëm.", tha mes të tjerash gjykata.

Më herët, edhe një gjyqtar federal hodhi poshtë padinë gjyqësore të ngritur nga ekipi i fushatës së Trumpit, që kërkonte shpalljen e pavlefshme të miliona votave të hedhura me postë në Pensilvani.

Presidenti Trump dhe disa nga aleatët e tij kanë vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve, duke thënë se ato janë të vjedhura dhe duke kërkuar të përdornin betejat ligjore për të përmbysur rezultatet në shtetet kryesore.

Ndërkaq, pas vendimit të gjykatës së apelit, zëdhënësi i fushatës së Biden, Mike Gwin, tha se "këto zgjedhje kanë mbaruar dhe Donald Trump humbi" dhe argumentoi se "proceset gjyqësore pa meritë" nuk do të ndryshojnë rezultatin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos