
Presidenti Donald Trump i bëri presion një zyrtari të lartë të zgjedhjeve të shtetit të Xhorxhias për të "gjetur" vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet, ku ai ka humbur.
"Unë thjesht dua të gjej 11,780 vota," i tha Z. Trump sekretarit republikan të shtetit Brad Raffensperger në një regjistrim të publikuar nga “Washington Post”.
Kjo është një nga përpjekjet më të fundit të zotit Trump në kuadër të pretendimeve të tij mbi manipulimin e zgjedhjeve, sipas njoftimit të gazetës “Washington Post”, e cila ka arritur të sigurojë një regjistrim audio të një bisede telefonike të zhvilluar ditën e shtunë.
Sipas gazetës “Washington Post”, e cila të dielën publikoi fragmente të telefonatës, që zgjati një orë mes zotit Trump dhe sekretarit të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, Trump, i lutej dhe e kërcënonte zotin Raffensperger me pasoja të paqarta penale, në një përpjekje për të zhbërë humbjen e tij në këtë shtet ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Gazeta tha se gjatë gjithë telefonatës zoti Raffensperger dhe këshilltari juridik i zyrës së tij, i kishin hedhur poshtë pohimet e zotit Trump. Zoti Raffensperger i tha presidentit se ai po mbështeste teori konspirative të hedhura tashmë poshtë, ndaj atyre që ai i cilësoi si zgjedhje të lira e të drejta. Pjesë nga telefonata e regjistruar të botuara nga gazeta e konfirmonin një gjë të tillë.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Zyra e zotit Raffensperger nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente.
Ndërkohë zëvendëspresidentja e zgjedhur Kamala Harris e ka cilësuar abuzim me pushtetin, presionin e presidentit Trump ndaj sekretarit të shtetit të Xhorxhas për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
"Është një abuzim i pafytyrë dhe i pacipë i pushtetit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara"- tha Harris.
Xhorxhia është një nga disa shtetet kyçe, në të cilin zoti Trump humbi gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj zotit Biden. Por që prej asaj kohe zoti Trump ka bërë akuza të pabazuara për manipulim me zgjedhjet dhe ka kërkuar të përmbysë rezultatin.
Të 50 shtetet kanë vërtetuar rezultatin e zgjedhjeve, disa pas rinumërimeve dhe ankesave ligjore. Kongresi pritet të miratojë zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve në 6 janar. (A2 Televizion)