Trump publikon buxhetin, 8 mld dollarë për murin

Nga A2 CNN
11 Mars 2019, 18:04 | Bota
Trump publikon buxhetin, 8 mld dollarë për murin

Presidenti Trump e quan atë “buxhetin për një Amerikë më të mirë: Premtime të mbajtura. Taksapaguesit të parët”. Planet e Presidentit premtuan buxhetin më të balancuar në 15 vite dhe kërkojnë rreth 3 trilion dollarë shkurtime në shpenzime.

“E gjithë çështja e murit dhe sigurisë kufitare është e një rëndësie të madhe. Ne kemi krizë atje”, tha Larry Kudlow, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar i SHBA.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë thotë se presidenti Trump po kërkon 8.6 miliard dollarë për murin kufitar.

“Demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ata kanë vota të mjaftueshme në Senat për të ndaluar kalimin e propozimeve”, u shpreh Mark Preston, analist.

Liderja e mazhorancës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, publikuan një deklaratë, duke sulmuar murin e shtrenjtë dhe të padobishëm të Trump duke thënë se Kongresi nuk do ta mbështesë kërkesën e tij.

“Refuzimi i dyfishtë është shumë i rrezikshëm pasi Pelosi dhe Schumer përjashtuan mundësinë se kjo mund të sjellë një tjetër raund negociatash që mund të mbyllin sërish qeverinë”, tha Samantha Vinograd, analiste.

Mbështetësit thonë se ky është një risk që presidenti dëshiron ta ndërmarrë.

“Ne duhet të tregohemi më të ashpër dhe të kemi politika emigracioni më konstruktive, të cilat ne do t’i zhvillojmë në një kohë të caktuar. Ai do të mbështesë murin dhe sigurinë kufitare. Mendoj se kjo është e domosdoshme”, u shpreh Larry Kudlow, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar i SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos