
Nëse Donald Trump humb zgjedhjet në nëntor, mund të mos ketë një tranzicion paqësor të pushtetit, pasi presidenti refuzon të angazhohet për diçka të tillë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se beson që rezultati i zgjedhjeve mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa sërish hedh dyshime mbi votimin me postë. Shumë shtete po inkurajojnë votimin me postë, duke cituar nevojën për të mbrojtur amerikanët nga koronavirusi.
Gazetari: A do angazhoheni për një tranzicion paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve?
“Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë. Siç e dini jam ankuar shumë për fletëvotimet, janë një katastrofë”, u shpreh Trump.
Edhe në 2016, Trump refuzoi të angazhohej për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve në përballjen me kandidaten demokrate Hillary Clinton, diçka të cilën ajo e cilësoi si sulm ndaj demokracisë.
Senatori republikan Mitt Romney, kritik i presidentit Trump, në një reagim në rrjetin social Twitter, tha se tranzicioni paqësor i pushtetit është thelbësor për demokracinë dhe se pa të, Shtetet e Bashkuara do të ishin në Bjellorusi.
“Çdo sugjerim se presidenti mund të mos respektojë kushtetutën është i paimagjinueshëm dhe i papranueshëm”, ishin fjalët e republikanit.
Kandidati demokrat, në garën presidenciale, Joe Biden, i cilësoi si të paarsyeshme komentet e rivalit.
“Në cilin vend jetojmë? Ai po thotë gjërat më të paarsyeshme. Nuk di çfarë të them për këtë, por nuk befasohem”.
Më herët gjatë ditës, Trump mbrojti vendimin për të kërkuar emërimin e kreut të ri të Gjykatës së Lartë para zgjedhjeve, pasi siç tha pret që rezultati të përfundojë atje. (A2 Televizion)