
45% e grave në të gjithë botën u mohohet autonomia e tyre trupore- thuhet në raportin e fundit të UNFPA-së. “Trupi im, e drejta ime” solli një panoramë të qartë se si gratë në të gjithë botën e kanë ende të pamundur të vendosin vetë për trupin e tyre, për marrëdhëniet seksuale, për riprodhimin dhe përdorimin e metodave mbrojtëse kontraceptive. Kjo shifër e lartë shtron edhe një sërë detyrash që duhet të ndërmarrin qeveritë respektive për të përmirësuar situatën e barazisë gjinore. Vetëm 55% e grave në botë kanë mundësi të jenë të pavarura në vendimet e tyre për shëndetin riprodhues, kohën e mëmësisë apo vendimin për martesë.
Raporti i referohet klimës për barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe përfaqësimit të tyre në shoqëri në 57 vende nga e gjithë bota duke u përqendruar në fuqinë që ka individi kryesisht gratë për të marrë vendimet e tyre për çështje që lidhen me kujdesin shëndetësor, kontracepsionin etj.
Ekzistojnë pengesa ligjore, ekonomike dhe sociale për të siguruar autonominë trupore për të gjithë individët pavarësisht gjinisë, racës, seksualitetit.
Ka mbi 20 vende ku për shkak të mentalitetit patriarkal, ligjeve në fuqi, masave shtrënguese vajzat dhe gratë martohen me abuzuesin e tyre seksual, duke i shpëtuar ata nga dënimi në emër të presioneve të ndryshme sociale e financiare.
Në gjetjet e raportit të UNFPA (2021) thuhet gjithashtu se disa nga pengesat më të vazhdueshme për autonominë trupore përfshijnë steriotipet; pra paragjykimet ndaj grave dhe vajzave. Edukatorët e të rinjve janë shprehur se shumica e personave, të përfshirë si kampion për realizimin e këtij studimi, nuk e njohin autonominë fizike. Madje ketë pavarësi e lidhin me ide jo të mira duke krijuar vetëparagjykime dhe vetizolime.
Në Shqipëri, kryesisht në zonat rurale ka ende një situatë shumë problematike për sa i takon barazisë gjinore. Kjo situatë së tepërmi lidhet me autonominë apo pavarësinë fizike. Martesat e hershme, varfëria, dhuna në familje vazhdojnë të mbeten problematika të ndjeshme me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e grave. Për këtë arsye, UNFPA Albania kërkon të ndërgjegjësojë shoqërinë mbi rëndësinë që ka pavarësia fizike e individëve dhe vendimet që merren për trupin e tyre. Pandemia e Covid 19 shtoi më shumë izolimin për shkak të kufizimeve fizike dhe pamundësisë për të lëvizur nga shtëpia, shpesh herë duke bërë që dhunuesi dhe viktima e dhunës në familje të vazhdojnë të jetojnë nën një çati.
Ndryshimi i situatës në vendin tonë lidhet sa me vetë shoqërinë ashtu edhe me punën që duhet të bëjë pushteti qendror dhe ai vendor për të identifikuar rastet ku gratë dhe vajzat dhunohen apo kur shkelen të drejtat e tyre. Shqipëria ka bërë përpjekje pozitive në ndryshimet e legjislacionit duke rritur masat e dënimit për dhunuesit, por edhe më shumë përpjekje duhet të bëjë për të rritur besimin në institucionet. Gratë dhe vajzat duhet të besojnë më shumë në institucionet për të denoncuar problemet e tyre dhe rastet e tilla duhet të merren seriozisht dhe në respektim të plotë të ligjit.
UNFPA beson se qeveritë respektive janë duke u angazhuar seriozisht në zbatimin e një sërë marrëveshjeve ndërkombëtare për të mbrojtur pavarësinë fizike të individit. Një pjesë e të cilëve duke përshtatur dhe legjislacionin për të garantuar liritë dhe të drejtat e gjithsecilit. (A2 Televizion)