
Vrasjet në Velipojë, Kikia: Ngjarja nuk ishte aksidentale, vjen nga mentaliteti ynë
Analisti Mentor Kikia komentoi në studion e “Absolut 4” në A2 ngjarjen në Velipojë, ku 4 persona u vranë pas një konflikti për hapësirat e plazhit. Sipas tij, ngjarje të tilla ndodhin në vendin tonë për shkak të mentalitetit që kemi dhe faktit që nuk kemi respekt për shtetin “që bën fushata meqë janë pushimet dhe sapo mbyllen këto pushime, askush nuk merret më me problemet e turizmit”.
“Përgjegjësitë nuk janë vetëm të atyre që qëlluan me armë. Problemi është që të identifikojmë shkaqet reale të fenomenit të prapambetjes së shoqërisë sonë. Njerëzit vazhdojnë të zgjidhin me armë mosmarrëveshjet mes tyre dhe kjo i provokon situata të tilla. Ngjarja në Velipojë nuk ishte aksidentale, është mentalitet. Ne shqiptarët, edhe kur fërkohen makinat me njëra-tjetrën, nuk presim ekspertët për të vendosur se kush e kishte fajin dhe sa është dëmi, por konfrontohemi me njëri-tjetrin. Më shumë se 60% e krimeve në Shqipëri janë si pasojë e konflikteve nga këto lloj mosmarrëveshjesh. Nuk e kemi kulturën e të jetuarit me shtetin në mes. Ne nuk e perceptojmë dot që të kërkojmë shtetin për të zgjidhur konflikte për gjërat e thjeshta, por këto konflikte çojnë në vrasje”, tha Kikia. (për më shumë)
Kasapi: Konflikti në Velipojë vijonte prej dy ditësh, policia duhet ta parandalonte
Gazetari i A2, Jul Kasapi, deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se për ngjarjen e Velipojës, ku u vranë 4 persona për hapësirën e plazhit, policia ka përgjegjësinë e saj dhe, sipas tij, ministri i Brendshëm nuk mund të thotë se vrasja mes fqinjëve natën nuk parandalohet dot.
“Unë vazhdoj t’i mëshoj historisë së vetting-ut. Pjesa më e madhe e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit nuk e kanë kaluar vetting-un. Në rastin e Velipojës, policia ka përgjegjësinë e saj, pasi ka për detyrë që të parandalojë vrasje. Nuk mund të dalë ministri i Brendshëm dhe të thotë se nuk mund të parandalohet një vrasje mes fqinjësh në orën 1 të natës”, u shpreh Kasapi. (për më shumë)
Bajrami: E patolerueshme përpjekja e ministrit për të shmangur përgjegjësinë e policisë
Gazetari i A2, Armand Bajrami, deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se deklarata e sotme e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, “ishte një përpjekje për “makiazh” fytyrës së Policisë së Shtetit, por që e bëri edhe më të shëmtuar policinë, pasi jemi në situatë kritike, me krimin që ka marrë revansh”.
“Ka pasur ngjarje kriminale ditët e fundit që garojnë në orë me njëra-tjetrën. Është e patolerueshme përpjekja e ministrit për të shmangur përgjegjësinë e policisë dhe për ta kaluar topin te gjyqtarët dhe prokurorët. Vetting-u në gjyqësor ka 3 vite që po ecën, me të mirat dhe të këqijat e veta, dhe nuk mund të mbahet më në këmbë policia duke drejtuar gishtin te gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar”, theksoi Bajrami. (për më shumë)
Gjeçaj: Po cenohet imazhi i vendit në sytë e turistëve vendas dhe të huaj
Aida Gjeçaj, nga Unioni Turistik Shqiptar, tha në studion e “Absolut 4” në A2 se me ngjarjet e fundit, “po cenohet imazhi i vendit në sytë e turistëve vendas dhe të huaj”.
“Jemi në kulmin e sezonit dhe prezenca e policisë ndihet shumë pak në rrugë dhe bregdet. Po cenohet imazhi i vendit në sytë e turistëve vendas dhe të huaj. Problemi i shezlongëve është një nga problemet që vjen nga mosfunksionimi i mirë i ligjit. Ndoshta e-Albania shmang disa abuzime, por nuk mundet që aplikimet për shezlongët të bëhen tani dhe ende nuk janë zgjidhur këto punë”, tha Gjeçaj. (për më shumë)
Kikia: Bashkëpunimi midis institucioneve të drejtësisë, komedi, këto njerëz jetojnë vetëm për show
Marrëdhëniet midis institucioneve të drejtësisë kanë qenë gjithmonë një nga arsyet kryesore për ngërçet e drejtësisë në vend. Por për analistin Mentor Kikia, këto marrëdhënie kanë marrë dimensionin e një shfaqje.
“Drejtësia nuk duhet të ketë çmim, ne duhet të shohim produktin. Nuk është vetëm çështje fondesh, por nuk është problemi tek marka e makinës që të përmbushë një hetim serioz dhe për të dënuar një person të implikuar në krime. Nuk është çështje e vetingut, por korrupsioni në drejtësi mbetet gangrena më e madhe dhe pengesa më e madhe për hetimin”, thotë Kikia në Absolut 4.
Sipas tij, “bashkëpunimi mes strukturave është një komedi që nuk ka nevojë për para. Kam parë vetë si në mënyrën më të paturpshme janë njoftuar mediat se si krerët e institucioneve të ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme do të nënshkruanin një marrëveshje bashkëpunimi. Më falni, por për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, nuk ka të bëj ky me vullnetin e kreut të institucionit, bashkëpunimi është përcaktuar nga ligji. E kanë për detyrë bashkëpunimin. Është e thjeshtë, është çështje e zbatimit të ligjit”. (për më shumë)
“Policia të mos merret me aksione të IKMT-së, por me sigurinë publike”
Deklarata e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi është parë si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit nga kreu i ILD Artur Metani. Por si e komentojnë gazetarët Armand Bajrami, Jul Kasapi dhe Mentor Kikia? Në studion e “Absolut 4”, gazetari i A2 CNN Armand Bajrami ndau të njëjtin qëndrim me atë të kreut të ILD, pasi sipas tij nuk i takon një ministri të komentojë vendimet e gjyqësorit. Por për gazetarin Kasapi, Çuçi mund t’i bëjë këto deklarata se janë politike.
Ndërsa për gazetarin Kikia, gjykatësi është pika finale për të bërë drejtësi. Sipas tij drejtësia fillon që nga vendi i ngjarjes mbledhja e provave. (për më shumë) (A2 Televizion)