Turizmi, Kumbaro: Shqipëria mbetet një vend me çmime shumë më të leverdisshme sesa fqinjët

Nga A2 CNN
29 Shtator 2022, 14:26 | Aktualitet
Turizmi, Kumbaro: Shqipëria mbetet një vend me çmime shumë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit”, në A2 CNN, deklaroi se sa i përket turizmit, Shqipëria mbetet një vend me çmime shumë më të leverdisshme sesa shtetet e tjera që na rrethojnë.

“Plani i pastrimit kombëtar, që kemi nisur që në vjeshtën e kaluar, vazhdon dhe do të riintensifikohet tani në të gjithë territorin. Por, në periudhën e verës, ka qenë shumë e dukshme diferenca në nivelin e pastërtisë falë mobilizimit shumë të madh nga ana e bashkive, por edhe të bashkimit të forcave me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Sistemi TIMS ka regjistruar deri në 30 gusht, 5,6 milionë vizitorë të huaj, aq sa mblodhi në total viti 2021. Nga ana tjetër, të dhënat e INSTAT flasin për një shpërndarje interesante në territor: sivjet ka pasur fluks edhe në zona të tjera, përveç bregdetit”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja theksoi se Shqipëria ofron mundësi për çdo “xhep”.

“Ka pasur mundësi zgjedhjeje: ka pasur edhe çmime popullore, edhe vende të shtrenjta. Shqipëria mbetet një vend me çmime shumë më të leverdisshme sesa vendet e tjera që na rrethojnë. Sigurisht që rrjetet sociale kanë fuqinë e ekzagjerimit dhe shpërndarjes së një lajmi të vetëm, lidhur me një eksperiencë personale, por kjo nuk do të thotë që është episod që dominon”, deklaroi Kumbaro.

Në lidhje me aksidentin tragjik në Potam, ku një vajzë e mitur humbi jetën pasi u përplas nga një mjet ujor, deklaroi: “Rasti i humbjes së jetës së vajzës së vogël, unë u trondita nga ajo tragjedi, po aq sa u trondita kur një shofer doli nga rruga, hyri në oborrin e një banese dhe i mori jetën një 23-vjeçareje. Të dyja janë tragjedi që ndodhin si pasojë e aksidenteve në rrugë transporti rrugor apo ujor, për shkak të papërgjegjshmërisë së një individi. Janë episode që shoqërojnë në fakt zhvillimin e jetës dhe të lëvizjes me automjete. Për rastin e Potamit, personi përgjegjës është në duart e drejtësisë dhe do të marrë ndëshkimin për papërgjegjshmërinë e vet. Ai shkeli rregullat, pasi nuk ishte një territor pa rregulla”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos