
Kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, pasi mori trajtimin e nevojshëm mjekësor ka lënë spitalin e traumës dhe është larguar së bashku me familjarët e tij. Sipas bluzave te bardha, ai nuk ka rrezik për jetën. Ndërsa sekretarja e tij Erisa Qalliu vijon të mbetet në spital. Gjatë qëndrimit të Kryebashkiakut socialist në spitalin e Traumës, shkuan edhe eksponentë të lartë të Partisë Socialiste.
Ndërkohë, ish-shoferi i Kryebashkiakut, Gëzim Saraçi, mbetet në arrati ndërkohë që vijojnë kërkimet për arrestimin e tij. 50-vjeçari dyshohet si personi që ka hedhur granatën në zyrën e ish-eprorit të tij ditën e fundit të vitit 2019.
Nuk dihen ende arsyet që e çuan drejt një veprimi të tillë, por në bazë të hetimeve të deritanishme mendohet që shkak të ketë qenë pushimi nga puna. Sipas dëshmitarëve dy të përfshirët në ngjarje kanë nisur të debatojnë me fjalë në momentin që po hynin në zyrën e Kryebashkiakut Tushe dhe në atë që duhej të ishte një ditë festive, Lushnja u trondit që në orët e para të mëngjesit nga një shpërthim. (A2 Televizion)