
Me miratimin e fondeve për fushatën elektorale, numri dy i socialistëve u hodh në krahasime. Premtimet dhe fushatë e demokratëve, i ngjan si një kthim në kohë.
“Pas 25 vitesh nga 1996, PD është rikthyer në sloganin “Me ne fitojnë të gjithë”. Shqiptarët e panë fare mirë skenarin sesi i shkoi rrjedhja ngjarjeve me një program të tillë. Por, thjesht kanë ndryshuar aktorët, përsëri është Saliu, por Luli është administratori i njërës piramidë, Monika është Sudja”, tha Balla.
Për të gjithë ata që kanë besuar te reforma në Drejtësi, Taulant Balla pohoi se goditja e javës së kaluar nga SPAK, në Gjykatën e Krujës është edhe një mesazh për politikanët që kanë tentuar ta pengojnë atë.
“Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha dhe kushdo që u shkon atyre pas duhet të heqin njëherë e mirë dorë nga shpresa se mund të kthejnë reformën në drejtësi”, shtoi Balla.
Sipas Ballës, vendimi i Gjykatës së Strasburgut në favor të procesit të vetingut, tregon gjithashtu se Shqipëria ka garantuar një sistem drejtësie të pavarur. (A2 Televizion)