U zbulua nga emisioni investigativ, arrestohet doktori që “të shëron me seks”

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2021, 16:24 | Bota

Një doktor italian është arrestuar pasi u kap në flagrancë gjysmë i zhveshur në një dhomë hoteli me një “paciente” femër, të cilës i kishte thënë se sëmundjen e saj do ta shëronte duke bërë seks me të.

Dr. Giovanni Miniello, një gjinekolog 60-vjeçar në Bari, u zbulua para një jave nga emisioni investigativ “Le Iene”.

Vajzës që iu prezantua si paciente, ky doktor i tha se kishte një virus që transmetohej seksualisht dhe që mund ta çonte deri në kancer. Ai i tha edhe se mund t’i jepte imunitet ndaj virusit, duke kryer marrëdhënie seksuale me të.

Kur “pacientja” pranoi, por i kërkoi që doktori të kryente marrëdhënie seksuale të mbrojtur, gjinekologu i shpjegoi se me prezervativ nuk do të merrte antitrupat që i duheshin.

Në këtë moment, gazetarja e emisionit hyri në dhomë, duke e kapur atë në flagrancë. Mbrojtja e doktorit ishte kjo: “Këtë po e bëj për qëllime studimore dhe për njerëzit që kam shpëtuar deri më sot”.

Nëpërmjet avokatit të tij, doktori u justifikua: “Unë, i cili kam trajtuar me sukses qindra femra përgjatë 40 viteve karrierë, thjesht propozova një kurë alternative që ka dhënë rezultate. Kurrë në jetën time nuk kam detyruar një femër që të bëjë seks me mua”.

Të martën, 60-vjeçari u arrestua për ngacmim seksual ndaj dy grave në Bari, ndërkohë që ditët e fundit edhe 15 gra të tjera kanë deklaruar se kanë qenë viktima të doktorit dhe kurës së tij me seks. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos