
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se kërkon garanci nga NATO që nuk do të zgjerohet në lindje. Ai shprehu dëshirën që të takohet me vendet perëndimore për të marrë këto garanci. Putin shtoi se Moska po merrte masat e duhura si kundërpërgjigje për veprimet e NATO-s.
“Kërcënimi në kufijtë tanë perëndimorë po rritet vërtet. Shikoni sa pranë kufijve tanë ka ardhur infrastruktura ushtarake e NATO-s. Ne e kemi marrë shumë seriozisht”, tha Putin gjatë një ceremonie ne Moskë me disa ambasadorë të huaj.
“Kur të flasim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre do të këmbëngulim që të arrijmë disa marrëveshje që ndalojnë zgjerimin e NATO-s në lindje dhe vendosjen e sistemeve të armatimeve të tyre pranë Rusisë”.
Putin propozoi zhvillimin e një dialogu me Perëndimin ku të hidhen në letër premtimet që bëhen me gojë. “Veçanërisht, është e ditur që NATO premtoi me fjalë që të mos zgjerohej në lindje, por bëri të kundërtën. Shqetësimet e ligjshme të Rusisë u injoruan dhe vijojnë të injorohen”, tha Putin.
Që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, NATO ka bërë pjesë të aleancës së saj ushtarake disa shtete që dikur i përkisnin Traktatit të Varshavës, si Shqipëria, Rumania apo Bullgaria, si edhe shtete të tjera pjesë të bllokut komunist, si vendet baltike.
Po të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit tha se Rusia nuk mund të largojë trupat e saj nga kufiri me Ukrainën, për shkak se shumë pranë ndodhet gati gjysma e ushtrisë ukrainase. Dimitri Peskov akuzoi Kievin se ka vendosur 125 mijë ushtarë në Donbas, një zonë lufte brenda territorit ukrainas, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kërkojnë shkëputjen. (A2 Televizion)