
Departamenti Amerikan i Shtetit do të këshillojë qytetarët që të shmangin 80 për qind të vendeve të botës për shkak të koronavirusit.
Në një shënim për mediat lidhur me përditësimin e udhëzuesit të udhëtimit, thuhet se Covid-19 vijon të “jetë një rrezik i paprecedentë për pasagjerët”. Këshilla aktuale e Shteteve të Bashkuara për të mos udhëtuar mbulon 34 nga 200 shtete të botës. Departamenti i Shtetit njoftoi se vendimi erdhi për të qenë në një linjë me këshillën e udhëtimeve të Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, por nuk është një rivlerësim i situatës shëndetësore në ato shtete.
“Vendimi sjell një rritje domethënëse të numrit të shteteve në nivelin 4. Mos udhëtoni në rreth 80 përqind të vendeve në mbarë botën”.
Vetëm 3 shtete të botës listohen me rrezikshmëri të ulët, të cilët janë Macau, Taivani dhe Zelanda e Re. Ndërkohë, pandemia u ka marrë jetën 3 milionë personave në të gjithë globin, ndërsa mbi 500 mijë viktima janë raportuar vetëm në SHBA. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar botën se po prek nivelin më të lartë të përhapjes, pavarësisht programeve globale të vaksinimit. (A2 Televizion)