Udhëzimi i BSH, raportim ditor për kursin e këmbimit nga bankat dhe agjencitë

Nga A2 CNN
5 Janar 2022, 15:18 | Aktualitet
Udhëzimi i BSH, raportim ditor për kursin e këmbimit nga bankat

Bankat, agjencitë e këmbimit valutor dhe institucionet e tjera të financiare duhet të raportojnë çdo ditë për veprimtarinë e kursit të këmbimit dhe transaksionet që kryejnë. Nga 1 janari ka hyrë në fuqi udhëzimi i Bankës së Shqipërisë që detyron të gjitha institucionet financiare të licencuara për veprimtarinë e kursit të këmbimit valutor të raportojnë veprime me bazë ditore.

Bankat duhet të raportojnë me frekuencë ditore të gjitha veprimet e këmbimeve valutore të çdo monedhe tё huaj kundrejt lekut, përfshirë veprimet me arin, brenda orës 17.00 tё ditës nё të cilën ёshtё lidhur marrëveshja, duke specifikuar monedhën e huaj, shumën dhe kursin e këmbimit.

Zyrat e këmbimit valutor dhe subjektet financiare jo banka duhet të raportojnë me frekuencë ditore të gjitha veprimet e këmbimeve valutore të çdo monedhe të huaj kundrejt Lekut, brenda orës 12.00 të ditës pasardhëse të punës, nё të cilën ёshtё lidhur marrëveshja. Raportimi duhet të përmbajë monedhën e huaj, shumёn dhe kursin e këmbimit.

Gjithashtu, të gjithë këta subjekte duhet të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë edhe për transaksionet me vlerë mbi 50 mijë euro ose në ekuivalentin e kësaj shume, duke specifikuar emrin e klientit, monedhën e huaj, shumën dhe kursin e këmbimit.

Udhëzimi në fjalë do t’i ofrojë Bankës së Shqipërisë një informacion më të saktë dhe të përditësuar lidhur me volumet e këmbimit valutor që kryhen në tregun e brendshëm financiar, por edhe për rastet e pastrimit të parave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos