Ukraina “dërgon” luftën në Moskë, viktima dhe mes civilëve

Nga A2 CNN
23 Gusht 2023, 12:12 | Bota

Një betejë e vërtetë dronësh po zhvillohet mes Ukrainës dhe Rusisë. Shënjestër është bërë sërish Moska. Kryebashkiaku i kryeqytetit të Rusisë konfirmoi se një dron ukrainas goditi një ndërtesë në qendër të qytetit. Ministria e Mbrojtjes pretendoi se ka rrëzuar dhe 3 dronë të tjerë, ndërsa nuk raportohet për të lënduar, por vetëm për dëme materiale.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sulmin në qytetin rus Belgorod në kufirin me Ukrainën. Zyrtarët atje konfirmuar 3 viktima ndër civilë, ndërsa akuzuan Kievin për dronët e lëshuar. Nga ana tjetër, edhe Ukraina ka raportuar për sulme të shumta nga ushtria e Vladimir Putinit.

Mbrojtja ajrore ka rrëzuar 11 nga 20 dronët e lëshuar. Ata që u shpëtuan raketave, goditën qytete të ndryshme përfshirë një shkollë në Sumy, rajonin Herson ku u plagosën 6 persona dhe u goditën kopshte e zona banimi, si dhe Odesën duke dëmtuar aty disa struktura civile dhe ato për magazinimin e grurit. Sulmet vijnë në një ditë kur Ukraina celebron festën e flamurit.

“Flamuri ynë është fuqia jonë, burim i vullneti dhe shpirtit të pathyer. Për të gjithë luftëtarët që shkojnë në betejë duke mbajtur këtë flamur në veshje dhe zemrat e tyre. Ata po luftojnë për çdo metër të tokës sonë. Ata avancojnë dhe do të arrijnë fitore”, tha Zelensky.

Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë këshilluar Ukrainën që të mos zhvillojë sulme në territorin e Rusisë. Në Moskë ka folur zëvendës presidenti i këshillit të sigurisë kombëtare, Dmitry Medvedev, I cili kërcënon Ukrainën se mund të zhduket si shtet si pasojë e konfliktit që shpërtheu në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, Putin ka shkarkuar gjeneralin rus Sergei Surovikin si kreu i forcave ajrore të vendit, i cili në një kohë ishte komandant i “operacionit special ushtarak” të Moskës në Ukrainë. Komandanti “Armagedon” nuk është parë në publik që nga një rebelim jetëshkurtër në qershor nga grupi mercenar Ëagner dhe udhëheqësi i tij, Yevgeny Prigozhin, kundër strukturave të mbrojtjes ruse.

Gjatë revoltës, Surovikin u shfaq në një video duke i kërkuar Prigozhin të largohej. Që nga rebelimi, raportet e lajmeve ruse dhe të huaja kanë thënë se Surovikin po hetohej për bashkëpunim të mundshëm në të. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos