
Greqia do të trajnojë pilotët e Ukrainës për të drejtuar avionët luftarakë F-16. Këtë e konfirmoi vetë presidenti Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Athinë, ku mori pjesë edhe në samitin mes liderëve të Ballkanit me ata të Bashkimit Europian.
“Jam mirënjohës për këtë propozim dhe ju falenderoj ju dhe ekipin tuaj për gatishmërinë për të na ndihmuar që të mbrojmë më shumë lirinë tonë.”
Në deklaratën e përbashkët të liderëve pjesëmarrës në takimin informal të Athinës mes Ballkanit dhe Bashkimit Europian, Ukrainës iu kushtuan 4 nga 8 pikat e konkluzioneve.
Në to konfirmohet se lufta e nisur nga Rusia ka sjellë një periudhë kritike për sigurinë, paqe dhe stabilitetin në kontinentin europian; mbështetja e palëkundur e vendeve të Ballkanit dhe BE-së për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht; mbështetje dhe vlerësim për përpjekjet e Zelenskit për përcaktimin e parimeve për paqen; si dhe palët u pajtuan se nuk mund të mos ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera.
Kjo vjen pasi Danimarka dhe Holanda njoftuan se do të furnizojnë Ukrainën me avionët e parë F-16. Është krijuar dhe një koalicion me 11 shtete që do të trajnojnë pilotët.
Zelensky ka falenderuar vendet që ndihmojnë vazhdimisht ushtrinë e tij, ndërsa nënvizon se kjo është një ndihmë e madhe në triumfin e Ukrainës ndaj Rusisë. (A2 Televizion)