
Dy dronë të ushtrisë ukrainase, që synonin shënjestrimin e infrastrukturën civile në rajonin e Krasnodar në Detin e Zi, u neutralizuan gjatë natës nga sistemet e mbrojtjes elektronike të Moskës. Kështu pretendojnë mediat ruse, sipas të cilave një prej dronëve ishte rrëzuar rreth 100 km larg Moskës, por pa shkaktuar viktima.
Më herët, Ukrainska Pravda, raportoi se shpërthime ishin dëgjuar në zonë, të ndjekura nga një zjarr në një rafineri lokale të kolosit të naftës që kontrollohet nga qeveria ruse, Rosneft. Sakaq, autoritetet ruse mbyllën mëngjesin e së martës, hapësirën ajrore mbi qiellin e Shën Petersburgut, siç thanë për shkak të një stërvitje, që përfshiu mobilizimin e avionëve të luftës për identifikimin e objektivi të rremë.
Gjatë trajnimit, Forcat e Mbrojtjes Ajrore zgjidhën problemet e zbulimit, përgjimit dhe identifikimit të një objektivi të supozuar infiltrues, si dhe ndërvepruan me shërbimet e urgjencës dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në rast të një situate emergjente, teksa Rusia duket se po përgatitet për një luftë të gjatë, siç pretendojnë edhe burime të inteligjencës perëndimore, beteja në lindje të Ukrainës bëhet gjithmonë e më e ashpër.
Ministria e Mbrojtjes në Rusi
Në videomesazhin e tij të fundit, presidenti Volodymyr Zelensky foli për një situatë tejet të vështirë në qytetin e Bakhmut, të cilin trupat ruse janë përpjekur ta pushtojnë prej 6 muajsh. “Jam vazhdimisht në kontakt me komandantët tanë. Vëmendje e veçantë po i kushtohet situatës në lindje, veçanërisht në rajonin e Donetsk. Në Bahmut, situtata bëhet gjithmonë e më e vështirë. Armiku po shkatërron gjithçka që mund të përdoret për mbrojtjen e pozicioneve tona”, tha ai.
Deklarata e liderit ukrainas erdhi teksa Sekretarja Amerikane e Thesarit, Janet Yellen, paralajmëroi mbi mundësinë që Kina të armatosë Rusinë. Ministria e mbrojtjes ruse sakaq, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po planifikojnë një provokim në Ukrainë, duke përdorur kimikate toksike. (A2 Televizion)